Kosovë, miratohet rezoluta: Muri i Mitrovicës shembet brenda janarit

29/12/2016 00:00

Kuvendi i Kosovës ka miratuar këtë të enjte projektrezolutën e harmonizuar mes grupeve parlamentare, përmes së cilës kërkohet shembja e murit në Mitrovicë. Rezoluta mori votat pro të 74 deputetëve, ndërkohë që dy prej tyre abstenuan.

Në fakt, diskutimet për murin janë zhvilluar gjatë seancës së të premtes së kaluar, por atëherë mungonte kuorumi i nevojshëm i deputetëve, që projektrezoluta të hidhej në votim, e për këtë shkak u vendos që të mërkurën teksti i saj të harmonizohej nga grupet parlamentare, përpara se të votohej.

Në rezolutë kërkohet shembja e murit brenda janarit dhe shpalljen e tij nga organet kompetente si një ndërtim i paligjshëm dhe veprim politik. Gjithashtu kërkohet që të mos ndryshohet plani i rivitalizimit të urës mbi lumin Ibër, pra që të mos shtohen muri dhe shkallët. Në rezolutë bëhet edhe thirrje për kthimin e të zhvendosurve nga të dyja pjesët e qytetit të Mitrovicës.

Propozuesi i saj, Pal Lekaj ka thënë se për shkak të harmonizimit me grupet e tjera parlamentare, pika që kërkonte dorëheqjen e ministres Edita Tahiri është hequr nga rezoluta, një pikë e kërkuar edhe nga Daut Haradinaj, që e akuzonte ministren e Dialogut se nuk dëshironte shembjen e murit.

Muri i Mitrovicës, që filloi të ndërtohej në fillim të këtij muaji, shkaktoi reagime ndërkombëtare dhe vendase. Ambasadori amerikan, Greg Delawie u shpreh kundër tij, ndërsa shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova tha se BE-ja nuk ngre mure, por ndërton ura bashkëpunimi.

Top Channel