Kosova: BE-ja të ndalë sjelljet destruktive të Serbisë

29/12/2016 00:00

Ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri njoftoi se mbrëmjen e së mërkurës kishte zhvilluar një bisedë telefonike me drejtoreshën për Europën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në BE, Angelina Eichhorst, të cilën e ka informuar hollësisht në lidhje me tentativën e sulmit kundër zyrave të Qeverisë së Kosovës.

Bëhet fjalë për ngjarjen e një dite më parë, teksa ministrja Tahiri ka qenë në Mitrovicën e Veriut për të përuruar objektin e ri të Qeverisë së Kosovës atje, në afërsi të të cilit është hedhur një granatë dore, që për fat të mirë nuk ka shpërthyer.

Ministrja Tahiri ka shprehur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se, me këto akte destruktive duke përdorur bombat aoi muret, Serbia po pengon zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe cënimin e dialogut për fqinjësi të mirë mes dy shteteve. Në këtë mënyrë, Beogradi është edhe kundër një paqeje të qëndrueshme në rajon. Ajo ka theksuar se bllokadat e Serbisë janë duke u përshkallëzuar dhe rrezikojnë destabilizimin e situatës, por këtë gjë nuk do ta lejojnë në asnjë mënyrë institucionet e shtetit të Kosovës.

Ministrja Tahiri ka thënë se përurimi i objektit të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën veriore bazohet në marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar nga të dyja shtetet dhe Bashkimi Europian në mars të vitit 2015, në të cilin kanë filluar punën mbi 20 institucione qendrore, duke punësuar pjesëtarë të komunitetit serb me qëllim integrimin e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Ministrja Tahiri ka kërkuar gjithashtu nga Bashkimi Europian që të angazhohen urgjentisht dhe seriozisht, në mënyrë që Serbia t’i ndalë destruksionet dhe të përmbushë detyrimet e dialogut të Brukselit. Ndërkohë, Angelina Eichhorst ka shprehur shqetësimet e BE-së për këto zhvillime negative dhe ka premtuar se BE-ja do të merret seriozisht me këto çështje, për zgjidhjen sa më të shpejt të tyre.

Top Channel