Japoni, reagime pas vizitave zyrtare në tempullin e “luftës”

29/12/2016 00:00

Ministrja japoneze e Mbrojtjes vizitoi një tempull për të vrarët e luftës në vend, diçka që shkakton gjithnjë debat, vetëm një ditë pasi shoqëroi kryeministrin Shinzo Abe në vizitën historike në Pearl Harbor.

Kreu i dikasterit të mbrojtjes, Tomomi Inada, vizitoi tempullin Yasukuni në Tokoi, i cili nderon japonezët që humbën jetën në luftërat e vendit, përfshirë disa kriminelë lufte të ekzekutuar.

Inada tha se vizitoi tempullin për të treguar se kërkon paqen për Japoninë dhe botën në të ardhmen. Vizitat e zyrtarëve japonezë në tempullin Yasukuni shkaktojnë gjithnjë reagimin e ashpër të Kinës dhe Kores së Jugut.

Këto të fundit, të dyja të pushtuara nga Japonia gjatë konflikteve të ndryshme, më i fundit prej tyre Lufta e Dytë Botërore, thonë se tempulli Yasukuni është simbol i militarizmit japonez dhe kujtesë e mizorive të Japonisë gjatë luftës.

Koreja e Jugut e cilësoi vizitën e ministres Inada për të ardhur keq, ndërsa Kina tha se Japonia nuk humb rastin për të treguar se nuk ka ndryshuar.

Megjithëse SHBA nuk reagon kurrë zyrtarsisht ndaj vizitave të tilla, fakti që ajo u bë një ditë pas vizitës në Pearl Harbor është kritikuar nga mediat, pasi në tempull nderohen edhe emrat e atyre që sulmuan bazën amerikane në Havai dhe që futën SHBA në Luftën e Dytë Botërore.

Vetë kryeministri Shinzo Abe e vizitoi tempulli Yasukuni në 2013 dhe që prej atëherë nuk shkon më, por dërgon dhurata dhe lule në data të caktuara.

Top Channel