Rama shkarkon Roshin, dekriminalizimi ndëshkon edhe Tahirin e Selamin

29/12/2016 00:00

Kavaja është pa kryetar bashkie dhe në fillim të vitit të ardhshëm në këtë qytet do të ketë zgjedhje.

Këshilli i Ministrave e shkarkoi në mbrëmje Elvis Roshin, disa orë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ndërprerjen e mandatit të tij si kryebashkiak dhe i kërkoi shefit të qeverisë që të kryente procedurën sipas ligjit dhe të firmoste largimin e tij nga detyra.

Motivacioni i shkarkimit të kryebashkiakut të Kavajës është “për shkelje të rënda të ligjit”.

Në mbledhjen e së enjtes, KQZ i ndërpreu mandatin edhe dy deputetëve, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri. Për Selamin dhe Rroshin votat ishin unanime.

“Një zëri, vendosi të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryetarit të bashkisë së Kavajës zotit Elvis Roshi. Ky vendim i njoftohet menjëherë kryeministrit për të vijuar me proceduarat e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës. Një zëri vendosi të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të deputetit zotit Shkëlqim Selami. Ky vendim t’i dërgohet menjëherë kryetarit të Kuvendit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në fletoren zyrtare”, u shpreh kreu i KQZ, Denar Biba.

Ndërsa për deputetin Dashamir Tahiri, heqja e mandatit u bë me shumicë votash, pasi përfaqësuesit e opozitës e mbrojtën atë.

“Me shumicë votash, KQZ vendosi: Të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të deputetit Dashamir Tahiri. Ky vendim i njoftohet menjëherë kryetarit të Kuvendit”, tha Biba.

Dashamir Tahiri në një deklaratë publike u shpreh se, procesi ka patur qëndrime politike.

Mazhoranca në KQZ, tha ai, nuk e ka respektuar ligjin dhe se sfidon çdo  anëtar të KQZ që të gjejë vetëm një element të ligjit për të bërë të pavlefshëm mandatin e tij.

Ai është shprehur se do t’i drejtohet Gjyqësorit. Gjykatës do t’i drejtohet edhe deputeti tjetër Shkëlqim Selami. Ai është shprehur se nuk është dakord me këtë vendim.

Gjatë zhvillimit të seancës, Denar Biba, duke shuar debatet e anëtarëve deklaroi se, komisioni nuk duhet të refuzojë të zbatojë ligjin për dekriminalizimim. Por ai shtoi se gjyqësori duhet ta thotë fjalën e tij. Vendimi, tha Biba, mund të sfidohet tek Gjykata Kushtetuese.

Top Channel