Lista Serbe “ngrin” pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës

28/12/2016 00:00

Pas takimit të zhvilluar të martën me kryeministrin e Serbisë, deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës vendosën të ngrijnë çdo bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe të njohin për kryetar Ekzekutivi vetëm Aleksandar Vuçiçin.

Në deklaratën për shtyp të lëshuar me këtë rast, Lista Serbe njofton ngrirjen e pjesëmarrjes së saj në institucionet qendrore të Kosovës, Ekzekutive dhe Legjislative. Vuçiç është kreu i qeverisë sonë të vetme dhe autoriteti i tij, si për ne, ashtu edhe për të gjithë serbët në Kosovë, është i padiskutueshëm.

“Për këtë arsye, njoftojmë se do të vëmë në zbatim të gjitha vendimet e tij”, thuhet në deklaratë.

Acarimi i raporteve ndërmjet qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa dhe Listës Serbe, erdhi pasi Mustafa shkarkoi ministrin serb të Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Maric dhe në vend të tij emëroi Mirjana Jevticin, emërim me të cilin nuk u pajtua Lista serbe.

Vendimet e serbëve, Mustafa i përshkroi si destruktive dhe të papranueshme. “Serbët në Serbi mund t’i përfaqësojnë interesat e tyre në Parlamentin e Serbisë”, tha ai, “ndërsa serbët që jetojnë në territorin e Kosovës duhet t’i përfaqësojnë interesat e banorëve, qytetarëve të Kosovës në Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës, qofshin ata shqiptarë, turq, malazezë, boshnjakë, e të tjerë”.

Top Channel