Rama: Plan agresiv investimesh, 1 miliard euro në 3 vjet

28/12/2016 00:00

Plani i investimeve të qeverisë prej 1 miliardë eurosh për 3 vitet e ardhshme do të japë një shtysë shumë të madhe për ekonominë, sipas kreu të qeverisë.

Edi Rama e cilësoi atë një plan agresiv investimesh, i cili do të ndikojë në një ecuri shumë pozitive të rritjes ekonomike krahasuar me atë aktuale.

“Një shumë e cila sipas projeksioneve tona mund ta çojë rritjen ekonomike të parashikuar deri tani, deri në 6 e plus përqind, në varësi të kapacitetit tonë ekzekutiv i këtij programi shumë ambicioz investimesh në infrastrukturën rrugore, në infrastrukturën spitalore shkollore dhe turizëm”, tha Rama.

Nga ceremonia e ndarjes së çmimeve të sipërmarrjeve të suksesshme, Kryeministri tha se plani i investimeve do të bëhet publik në janar dhe ky, sipas tij, është një moment mjaft i rëndësishëm për bizneset që duan të angazhohen në të.

“Synimi ynë është që të nxjerrim nga bankat sa më shumë likuiditet dhe ta vendosim në dispozicion të ekonomisë përmes këtij programi transformues në infrastrukturë. Jemi të bindur që do të na japë mundësinë që në harkun kohor të 4 viteve të ardhshme rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë një bum i mirëfilltë”, u shpreh Kryeministri.

Top Channel