Lindja e Mesme, Kerry: Izraeli po rrezikon zgjidhjen e dy shteteve

28/12/2016 00:00

Fjalimin e tij mbi vizionin e administratës Obama në Lindjen e Mesme, sekretari amerikan i Shtetit John Kerry e fokusoi tek bisedimet e paqes izraelito-palestineze.

Zgjidhja e dy shteteve të pavarura është seriozisht në rrezik, deklaroi shefi i diplomacisë amerikane, që u tregua mjaft i drejtëpërdrejtë në komentet e tij.

Kerry e mbrojti vendimin e Shteteve të Bashkuara për të abstenuar duke zgjedhur kështu të mos e bllokonin me veton e tyre rezolutën kritike të vendbanimeve hebraike në tokat e pushtuara palestineze.

“Zgjidhja e dy shteteve është e vetmja mënyrë për të arritur një proces të rregullt dhe të qëndrueshëm paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve. Me rrugën e njështetësisë, Izraeli mund të jetë hebraik ose demokratik, por jo të dyja bashkë. Status quo-ja nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të çojë në pushtim të përhershëm”, tha Kerry.

Kerry e mbrojti dhe angazhimin e qeverise aktuale ndaj shtetit hebre.

“Asnjë administratë amerikane nuk ka bërë më shumë për sigurinë e Izraelit sesa ajo e Barack Obamës. Vetë kryeministri izraelit ka vënë re një bashkëpunim të paprecedent ushtarak dhe të shërbimeve të inteligjencës”, tha sekretari i Shtetit.

Top Channel