Peleshi: Koalicioni i suksesshëm, të hapur edhe për forca të tjera

28/12/2016 00:00

Ftesën për të dalë bashkë në koalicion edhe në vitin 2017, pas kryeminsitrit Rama një javë më parë, LSI-së ia ka përsëritur zëvëndësi i tij Niko Peleshi nga Pogradeci. Për numrin dy të qeverisë, e majta është e pathyeshme kur bëhet bashkë.

“Koalicioni funksionon, funksionon mirë dhe nuk shoh asnjë arsye që të mos vazxhdojë. E majta e ka provuar përçarjen, e ka provuar edhe sesa e pathyeshme bëhet nqs bashkohet. Këtë e ka provuar edhe PS, edhe LSI. Në secilën zgjedhje, secila forcë politike synon të marrë sa më shumë vota dhe une do doja që PS të rriste numrin e deputetëve, por padyshim koalicioni është i dobishëm ndaj ka ardhur edhe ftesa e Ramës në asamble. S’kemi asnjë ngutje, ka edhe 6 muaj nga zgjedhjet, s’ka ngut e stres e ankth brenda të majtës”, deklaroi Peleshi.

E ndërsa PS e LSI i sheh sërish bashkë për zgjedhjet e 18 qershorit, Peleshi thotë se për një fitore të thellë, ka nevojë për një koalicion edhe më të gjerë.

“Besoj se do ketë aleancë sërish, s’ka arsye të shkojmë të ndarë e të përçarë, e majta ka nevojë të bashkohet. Nuk mjafton një aleancë PS-LSI por edhe forca të tjera”, vijoi zv.kryeministri.

Kryeministri Edi Rama nga asambleja kombëtare një javë më parë e ftoi zyrtarisht aleatin në bashkëqeverisje, LSI, që të garojnë së bashku në zgjedhjet e ardhshme, koalicion të cilin e quajti strategjik.

Top Channel