Ndihmë të moshuarve, ministrat shpërndajnë dhurata në 28 qendrat sociale

28/12/2016 00:00

Përveç ministrit Klosi, edhe krerët e dikastereve të tjera qeveritare e kaluan këtë ditë pune nëpër Shqipëri, duke ndarë dhurata e duke premtuar lehtësira sociale.

Në Shkodër ishte ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili vizitoi fëmijët e prekur nga fenomeni i gjakmarrjes dhe të moshuarit në Azilin e Pleqve.

“Prej zbatimit të ligjit të vettingut, ne do të kemi një besim më të madh të qytetarëve te drejtësia, çfarë do të ketë një efekt edhe te kjo kategori”, tha Ditmir Bushati.

Në Lezhë, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla çoi dhurata në Qendrën e Fëmijëve me Aftësi ndryshe.

Në Durrës shkoi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili u ndal te Qendra e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, Qendra e Zhvillimit Rezidencial në qytetin e Durrësit, ku marrin shërbim 37 persona me aftësi të kufizuara, të moshave nga 6 deri në 25 vjeç.

Në kuadër të nismës së qeverisë për të vizituar 28 qendra sociale në vend, zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka zgjedhur Korçën dhe Shtëpinë e Fëmijës “Lulet e vogla”, ku ka shpërndarë dhurata.

Në Lushnje, ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni vizitoi qendrën PAK, ku 43 fëmijë me probleme autizmi dhe aftësi të kufizuara trajtohen nën kujdesin e bashkisë prej një viti.

Në Vlorë, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri ishte në Shtëpinë e të Moshuarve, duke shpërndarë ndihma.

Në Gjirokastër, ministri i Shtetit për Çeshtjet Vendore, Bledi Çuçi, dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro kanë shpërndarë dhurata për të moshuarit.

Ndërsa në Tiranë, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka shpërndarë dhurata për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte në Qendrën Kombëtare tranzitore të Emergjencave në kryeqytet.

Top Channel