Izraeli shtyn autorizimin e kolonive të reja. Pritet fjalimi i Kerryt

28/12/2016 00:00

Një komitet izraelit ka shtyrë, me kërkesën e vet kryeministrit Benjamin Netanyahu, një proces votimi për të autorizuar ndërtimin e rreth 500 banesave të reja në kolonitë izraelite në Jeruzalemin Lindor. Ngjarja e fundit vjen edhe përpara një fjalimi mbi konfliktin izraelito-palestinez, që pritet të mbahet nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Të premten, Shtetet e Bashkuara vendosën të mos ushtronin veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bënte thirrje për t’i dhënë fund ndërtimit të blloqeve të banimit në kolonitë izraelite. Vendimi për të abstenuar në atë votim irritoi tej mase Netanyahun, zëdhënësi i të cilit tha të martën se kishte “informacione tejet të sigurta” nga burime arabe, se Shtëpia e Bardhë kishte ndihmuar në hartimin e draftit të rezolutës, e më pas kishin “tentuar fuqishëm” që ajo të miratohej.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se akuzat janë “thjesht të pavërteta”, por shtoi se shpresonte që rezoluta të mund të “shërbente si një thirrje zgjimi” për Izraelin.

Më shumë se 500 mijë hebrenj jetojnë në rreth 140 blloqe banimi të ndërtuara që prej pushtimit të vitit 1967 nga Izraeli të Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemit Lindor. Këto banesa janë konsideruar si të jashtëligjshme bazuar në ligjin ndërkombëtar, edhe pse Izraeli e sfidon këtë.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit që kaloi të premten theksonte se krijimi i vendbanimeve “nuk kishte vlefshmëri ligjore dhe përbënte një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, si dhe ishte një pengesë madhore në arritjen e një zgjidhjeje dyshtetërore, si dhe të paqes së vijueshme dhe gjithëpërfshirëse”.

Izraeli e refuzoi rezolutën, veçanërisht sepse dënohet ndërtimi i banesave në Jeruzalemin Lindor, që Tel Avivi e konsideron si pjesë e kryeqytetit izraelit, ndërkohë që palestinezët e kërkojnë si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Top Channel