Lëkundjet në Zharrëz, qeveria ndalon shpimet; ngrihet grupi i punës

27/12/2016 00:00

Pas shqetësimeve të ngritura nga banorët e Zharrëzës për lëkundjet e tokës, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të injektimit të ujit teknologjik në puset përreth këtij fshati.

Lajmi bëhet i ditur në një njoftim për shtyp të shpërndarë nga Ministria e Energjitikës dhe Industrisë, sipas të cilit urdhëri në fjalë është dhënë ditën e djeshme, 26 dhjetor, nga ministri.

Ndërsa këtë të martë, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar ngritjen e një grupi ndërministror pune për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në Zharrëz dhe për hartimin e masave që duhen ndërmarrë për riparimin e dëmeve.

Grupi në fjalë do të drejtohet nga zv.kryeministri Niko Peleshi dhe do të ketë në përbërje të tij përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, Industrisë dhe ajo e Brendshme.

Ai do të asistohet dhe këshillohet nga ekspertë të fushave përkatëse të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Shërbimit Gjeologjik dhe Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Top Channel