Procesi i legalizimeve, Rama shpërndan certifikatat në Tiranë

27/12/2016 00:00

Në kuadër të procesit të legalizimeve, kryeministri Edi Rama ka shpërndarë pasditen e kësaj të marte certifikatat e pronësisë për banorë të Tiranës.

Në fjalën e tij në këtë event, Rama ka deklaruar se, qeveria e tij ka dhënë prova që kush i besoi detyrën 3 vjet më parë sot nuk është zhgënjyer.

E gjitha kjo, ka theksuar Rama, edhe pse u desh shumë kohë të gjetur dokumentat e duhura për të evituar rastet e legalizimeve të gabuara.

“Çdo 4 muaj po legalizojmë aq sa legalizoi qeveria e vjetër në 8 vjet”, ka thënë Rama.

Edhe pse është shprehur i vetëdijshëm se, ka probleme të rënda të trashëguara tek ata banorë që sot jetojnë në pallate të pahipotekuara, kreu i qeverisë ka nënvizuar se nga sot, “52 mijë familje do ta festojnë Vitin e Ri me lejen e legalizimit”.

Gjithashtu, “ne do vijojmë të mbështesim transformimin e zonave ku ka ndërtime të reja”, ka shtuar Rama.

Top Channel