Beteja për Mosulin, kryeministri Abadi: Duam 3 muaj t’i zmbrapsim xhihadistët

27/12/2016 00:00

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi tha këtë të martë se për të mposhtur Shtetin Islamik do të duhen 3 muaj kohë, në një kohë kur forcat e mbështetura prej Shteteve të Bashkuara po luftojnë për t’i shpërngulur militantët xhihadistë nga bastioni i Mosulit.

Abadi kishte thënë më herët se qyteti mund të rimerrej në kontroll deri në fund të këtij viti, por komandantët e operacioneve kanë akuzuar për hapat e ngadaltë të sigurimit të mbrojtjes së civilëve, të cilët në vend që të largoheshin siç pritej, kanë vendosur të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

“Kushtet tregojnë se Iraku ka nevojë për 3 muaj kohë për të eliminuar DAESH-in (referuar Shtetit Islamik me akronimin arab)”, është cituar të ketë thënë Abadi nga televizioni shtetëror.

Tashmë kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga nisja e operacionit, ushtarët elitë të Irakut kanë marrë vetëm çerekun e qytetit Mosul, por më pas u futën në një “operacion rigrumbullimi” gjatë këtij muaji, gjë që nënkuptonte një frenim të ofensivës.

Një komandant amerikan nga terreni tha për “Reuters” të hënën se forcat irakiane mund të rifillojnë sulmin në ditët e ardhshme, në atë që konsiderohet si faza e re e operacionit që do t’i shohë edhe trupat amerikane të dislokuara shumë më pranë frontit të luftës, brenda qytetit.

Mosuli, qyteti më i madh i mbajtur nga Shteti Islamik – krahasuar me territorin e gjerë të kontrolluar prej tij në Irak dhe Siri, – ndodhet në kontrollin e xhihadistëve që prej qershorit të vitit 2014, kur luftëtarët islamikë larguan ushtrinë e trajnuar nga Amerika.

Rënia e Mosulit në duart e forcave irakiane do të nënkuptonte edhe fundin e ambicieve të Shtetit Islamik për të sunduar ndaj miliona njerëzve në kalifatin e vetëshpallur, por luftëtarët kanë ende mundësi që të organizohen në një kryengritje të re “tradicionale” në Irak, ose të thurin komplote për sulme të frymëzuara prej tyre në Perëndim.

Top Channel