Presidenti i Rumanisë refuzoi këtë të martë të nominonte për kryeministre, një ekonomiste që do të thyente dy tabu në vendin ballkanik: të bëhej e para kryeministre femër, si dhe e para kryeministre myslimane.

Presidenti Klaus Iohannis tha se, “kishte shqyrtuar me kujdes argumentet pro dhe kundër”, e më pas kishte vendosur që të mos e nominonte Sevil Shhaideh, 52 vjeç, një figurë relativisht e re në politikë, për postin e kryeministrit. Ai ka bërë gjithashtu thirrje ndaj Partisë Social-Demokratike, që fitoi zgjedhjet e 11 dhjetorit, të sjellin një tjetër emër kandidati.

Refuzimi i Iohannis solli një kundërpërgjigje të ashpër dhe irrituese nga socialdemokratët, të cilët ofruan emrin e Shhaideh gjatë javës së kaluar.

Kreu i socialdemokratëve, Liviu Dragnea tha se partia do të konsideronte rrëzimin e Iohannis, “nëse ne arrijmë në konkluzionin se kjo është në të mirën e vendit tonë”. Ai tha më tej se partia nuk mund të gjejë “një arguement kushtetues apo çfarëdo tjetër, të lidhur me rreziqet e mundshme” nga kandidatura në fjalë, për ta refuzuar nominimin partiak.

Sipas tij, Iohannis “kërkon të nisë një krizë të re politike”.

Dragnea e ka të pamundur të zgjidhet kryeministër, edhe pse është kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve, pasi u dënua këtë vit për mashtrim elektoral. Iohannis nuk tha se, përse kishte vendosur të mos e shpallte Shhaidehun si kryeministre, ndërkohë që është kritikuar nga disa vëzhgues se i mungon eksperienca e mjaftueshme politike. Shhaideh ka shërbyer edhe si ministre e Zhvillimit Rajonal në vitin 2015.

Top Channel