Nga Boca, drejt Kinës. Tevez në detajet e fundit

27/12/2016 00:00

Transferimi i bujshëm i Carlos Tevezit, që po merr formë këtë muaj, do ta bëjë futbollistin argjentinas më të paguarin në planet në sportin që ai praktikon.

Sulmuesi latin është në detajet e fundit të kalimit në Superligën kineze, që është kthyer brenda pak vitesh në një destinacion joshës për shumë yje të futbollit, kjo falë milionave që po shpenzohen pa kriter.

32-vjeçari Tevez pritet të prezantohet në ditët e para të janarit me fanelën e skuadrës së Shangai Shenhua, pasi u bind për të braktisur ekipin e zemrës, Boca Juniors, për një aventurë të guximshme në fundin e karrierës. Trajneri Gus Pojè, që drejton kinezët, konfirmoi kalimin.

“Jam ende duke pritur 100% të konfirmimit, në mënyrë që t’i prezantoj Carlos Tevezit se çfarë kemi përpara me ekipin tonë. Dua të jem i ndershëm me palët e tjera të përfshira dhe do të flas vetëm pasi të finalizojmë detajet e fundit të transfertës”, tha trajneri i skuadrës së Shangait.

32-vjeçari argjentinas do të firmosë një kontratë faraonike me ekipin e Superligës kineze, me një vlerë të përafërt me 615 mijë paund në javë. Kjo do ta bëjë Carlos Tevezin të ngrihet në një nivel tjetër, e për më tepër mbi Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin.

Top Channel