Incidenti i dhunshëm, “Korean Air” së shpejti me staf “të fortë”

27/12/2016 00:00

Kompania “Korean Air” tha se do të rishikojë rregulloret e saj, në mënyrë që ekuipazhi të reagojë me ashpërsi dhe vendosmëri ndaj dhunës në fluturim, pasi mori shumë kritika për menaxhimin e një incidenti në bord.

Javën e shkuar, këngëtari amerikan Richard Marx tha se ndërhyri për të ndaluar një pasagjer të dhunshëm në një fluturim të “Korean Air”, nga Hanoi në Seul.

Sipas Marx, ekuipazhi nuk kishte asnjë përgatitje për incidente të tilla, madje ata nuk dinin të përdornin pistoletën elektrike, e as të lidhin me litar pasagjerin e dhunshëm.

Pas kritikave dhe fotove që bënë xhiron e botës, zyrtarë të “Korean Air” thanë se do të marrin masa dhe pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe stërvitja serioze e stafit dhe punësimi i më shumë meshkujve.

Kompania tha se, në të ardhmen do të sigurohet që në çdo fluturim të saj të jetë të paktën një stjuart, një anëtar stafi mashkull. Kompanitë ajrore kanë politika të caktuara për pajisjet që mbahen në bord në raste incidentesh, por zakonisht nuk japin detaje për to duke cituar çështje sigurie.

Top Channel