George Michael ishte bamirës

27/12/2016 00:00

Ylli britanik i muzikës, George Michael, i cili u nda nga jeta tragjikisht ditën e Krishtlindjeve në afërsi të Londrës, mësohet se ka qenë një bamirës i jashtëzakonshëm, duke ndihmuar njerëz të panjohur dhe duke bërë gjeste filantorpike për të cilat insistonte që të mbesin sekret.

Këngëtari me origjinë greke nga Qipro ka dhuruar pas luftës në Kosovë personalisht gjysmë milionë sterlina. Duke njoftuar lajmin e donacionit, “The Guardian” e Londrës më 17 shtator të 1999 e citon George Michael të ketë thënë se “drama e kosovarëve të larguar me forcë nga shtëpitë e tyre është arsyeja kryesore për vendimin për të mbështetur koncertet e bamirësisë NETAID”.
 
Ai mori pjesë në koncertin e zhvilluar në “Wembly” më 9 tetor të atij viti, koncerte që u zhvilluan “live” njëkohësisht në Londër, Nju Jork dhe Gjenevë, për të ndihmuar krizën e refugjatëve të luftës.

Ndërkohë BBC në 1999 e citon këngëtarin e madh të ketë deklaruar se “do të performojë në koncertin e ‘Wembley’, pasi dëshiroj që publiku britanik të kuptojë se populli i Kosovës dëshpërimisht ka nevojë për ndihmën tonë”.

George Michael shtonte se “shumë refugjatë janë rikthyer në Kosovë pa shtëpi e pa punë dhe nuk e perballojnë dot dimrin e ashpër”.

Ylli i muzikës britanike, babai i të cilit ishte grek i Qipros, lindi më 25 qershor dhe ndërroi jetë më 25 dhjetor, pikërisht ditën e Krishtlindjeve në një koincidencë të frikshme edhe për shkak të këngës hit të tij të titulluar “Last Christmas”.
 
Përpos talentit të jashtëzakonshëm, jetës private të ndërlikuar dhe meditizuar, ka pasur një anë të saj, jo dhe aq të publikuar. Ai ka qenë një filantrop dhe bamirës i rrallë, me një zemër të madhe, që e tradhtoi në këtë jetë, e që ndihmonte si pak kush.

Shtypi britanik këto ditë është i mbushur me aktet e tij të bamirësisë dhe ndihmën që ai ka dhënë për njerëz të panjohur në shuma të mëdha financiare sepse dikush ishte në borxh apo se dikë e pa në televizor se nuk përballonte një trajtim mjekësor për të lindur fëmijë.

Ai gjithashtu dhuronte shuma të konsidureshme për organziata bamirësie për fëmijët në nevojë, akte filantropie që ai insisonte të mos publikoheshin.

Top Channel