Dekriminalizimi, KQZ kërkon kohë. PD mbron Dashamir Tahirin

27/12/2016 00:00

KQZ mbajti këtë të martë votimin, përmes të cilit kryetari Denar Biba, me kërkesë edhe të avokatëve mbrojtës të deputetëve Selami dhe Tahiri, si dhe kryebashkiakut Rroshi, i kërkoi Prokurorisë informacione më të detajuara për dënimet e 3 funksionarëve publikë.

Organi akuzës ka vetëm 48 orë kohë për t’i dorëzuar KQZ-së materialet e nevojshme për të vendosur më 29 dhjetor nëse deputetëve dhe kryebashkiakut të Kavajës do t’u hiqet apo jo mandati.

“Duhet të ishte Prokuroria e Përgjithshme institucioni që do t’i siguronte KQZ-së dokumentacionin e nevojshëm. Ne nuk i kemi këto vendime, nuk mund të vendosim për fajësi apo pafajësi të këtyre individëve”, deklaroi Biba.

Shkëlqim Selami ishte i vetmi që mori pjesë në mbledhje, ndërsa Tahiri dhe Rroshi nuk u paraqitën. “Përsa kohë që gjykata italiane e ka pushuar çështjen, personi konsiderohet i pafajshëm”, deklaroi avokati i tij, Genc Çifligu.

Pak ditë më parë biba tha se kqz shkarkon këta zyrtarë, një nga avokatët kishte përgjigje edhe për këtë. “Detyra e këtij komisioni është vetëm konstatimi. Kryetarët e bashkive shkarkohen nga Këshilli i Ministrave dhe ky vendim çekohet nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk ikën automatikisht”, deklaroi Theodhori Sollaku, avokat i Elvis Rroshit.

“Në rastin e zotit Dashamir Tahiri rezulton qartë se kjo periudhë ndalimi ka përfunduar prej më shumë se 2 vitesh, kur nuk rezultonte ende ligji numër 138 i vitit 2015”, deklaroi Fatmir Brraka, avokat i Tahirit.

Gazmend Bardhi, përfaqësuesi ligjor i PD vetëm për një ditë, kërkoi heqjen e mandatit për kryebashkiakun socialist dhe deputetin e LSI, Shkëlqim Selami, ndërsa mbrojti deputetin Dashamir Tahiri, pjesë e grupit të deputetëve të PD. “Zoti Tahiri nuk ka asnjë pengesë për të ushtruar funkione publike”, deklaroi Bardhi.

Vetë Dashamir Tahiri, pak orë pas mbledhjes iu drejtua KQZ-së me kërkesën për të riplotësuar nga fillimi formularin e vetëdeklarimit.

Burime nga KQZ bënë të ditur për Top Channel se vendimi i 29 dhjetorit do të merret vetëm mbi vetëdeklarimet dhe materialet që aktualisht gjendjen mbi tryezën e saj të punës.

Top Channel