Gjendet kutia e zezë e avionit të rrëzuar rus

27/12/2016 10:20

Regjistruesi i të dhënave të fluturimit të avionit rus që u përplas në Detin e Zi u gjet nga autoritetet. Kjo është kutia e parë e zezë e Tupolevit 154 që gjendet, i cili u rrëzua duke i kushtuar jetën 92 personave në bord.

Avioni u përplas në det pak minuta pasi u ngrit në fluturim nga qyteti Soçi. Kërkimi për viktimat vazhdon ende dhe sipas zyrtarëve rusë, janë gjetur 16 trupa. Regjistruesi i të dhënave të fluturimit u gjet nga një nëndetëse robot në thellësi 17 metra dhe 1,6 km larg bregut. Mësohet se kutia e zezë nuk ka pësuar dëmtime dhe do të dërgohet në Moskë për t’u analizuar.

Mediat ruse bënë me dije se edhe kutia e dytë e zezë, teknikisht regjistruesi i zërave të kabinës së pilotimit, është gjetur dhe mund të nxirret nga deti së shpejti. Ka pak të dhëna se çfarë e shkaktoi incidentin fatkeq, ndërsa autoritetet ruse thonë se nuk besojnë në mundësinë e një sulmi terrorist. Sipas tyre, besohet se avioni u rrëzua pas një gabimi të pilotit apo ndonjë defekti teknik.

Një teori që po qarkullon nga mediat është se avioni mund të ishte mbingarkuar. Agjensia Interfaks shkruan se dëshmitarë okularë të marrë në pyetje gjatë hetimit thanë se avioni nuk po ngrihej dot në lartësi dhe kjo shpjegon disi faktin që ai u rrëzua vetëm dy minuta pasi ishte shkëputur nga pista. Mediat gjithashtu thonë se avioni bëri një kthesë të beftë për t’u kthyer drejt bregut para se të zhdukej nga radarët.

Megjithatë, në regjistrime të kullës së kontrollit në momentet para rrëzimit, gjithçka duket e qetë dhe pilotët nuk flasin për ndonjë problem.

Top Channel