Korea e Jugut, skandali i Presidentes ndan partinë qeverisëse

27/12/2016 08:10

Një grup prej 29 deputetësh koreano-jugorë lajmëruan largimin e tyre nga partia qeverisëse Saenuri për të krijuar një parti të re konservatore.

Prej kohësh partia ishte e ndarë “de facto” mes fraksionit që mbështet Presidenten Park Geun-hye dhe atyre që e fajësojnë kreun e shtetit për rënien e ndjeshme të suportit publik për konservatorët, të cilët nuk kanë një kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Analistët thonë se skandali i Presidentes i kushtoi rëndë partisë Saenuri dhe kjo pritet të reklektohet mjaft qartë në zgjedhje.

Deputetët e larguar nga forca politike e Presidentes thanë se do të shpallin formalisht partinë e tyre të re më 24 janar, që qëllimisht ka emrin Partia e Re Konservatore për Reforma. Një prej deputetëve, Chung Byong-gug, i cili është një prej emrave që flitet për të drejtuar partinë e re, tha se mbështetësit e Parkut kanë harruar vlerat e të qenit konservator i vërtetë, diçka që solli humbjen e besimit të njerëzve.

Ai gjithashtu tha se besnikëria e tyre ndaj Presidentes dhe injorimi i zërave të popullit lejoi përzierjen në çështjet e shtetit të Choi Soon-sil. Kjo e fundit është në pranga dhe prokurorë specialë po hetojnë nëse presidetja Park komplotoi me të për t’i bërë presion kompanive të mëdha për fonde. Presidentja Park ka imunitet nga paditja për sa kohë është në detyrë, pavarësisht se Parlamenti e pezulloi. Tashmë, i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë për fatin e saj dhe Parku rrezikon seriozisht të bëhet Presidentja e parë e vendit që dëbohet me turp nga detyra.

Top Channel