Se çfarë nënkupton Krishtlindja për pjesëtarët e ekuipazhit të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar të ndodhur qindra kilometra mbi tokë, këtë e shpjeguan vet përmes një mesazhi video të bërë publik nga NASA.

Në një largësi të tillë dhe pas një shkëputjeje prej një kohe të gjatë nga të dashurit e tyre, është normale që festa për astronautët të mishërojë ngrohtësinë familjare dhe dëshirën për të dhuruar.

“Zakonisht, ne udhëtojmë për t’u takuar me familjarët tanë, sepse jemi të shpërndarë në çdo cep të vendit. Shkojmë në Georgia ndonjëherë, në Florida, e me raste edhe në Colorado, ku na presin të afërm e miq. Dhe koha që kalojmë së bashku, momentet që ndajmë me njëri-tjetrin janë të paçmuara. E adhuroj këtë sezon”, tha Shane Kimbrough, komandat i ekspeditës 50.

Peggy Whitson, që është në misionin e saj të tretë në stacionin hapësinor, rrëfen sesi mundësia për ta parë nga larg planetin tonë i ka hapur një perspektivë krejt tjetër të Krishtlindjes.

“Të afërmit dhe miqtë janë shumë të rëndësishëm për ne. Por qëndrimi në stacionin hapësinor ndërkombëtar, ka dhe një tjetër aspekt me peshë, e ai është ta shohësh planetin si një të tërë. Të shtyn ta mendosh edhe më fort nevojën e madhe që të jetojmë si një popull i vetëm e të luftojmë për paqen”, tha Peggy Whitson, astronaute.

Për astronautin francez, Thomas Pesquet të Agjencisë Hapësinore Europiane, Krishtlindja do të thotë një grumbullim familjar, ku përfshihen 25 kushërinj. Por meqenëse familjen nuk e takonte dot, një vakt special ishte përgatitur për të, i cili përfshinte mish pule me krem kërpudhe, gjuhë bualli dhe kek me xhenxhefill, të gjitha të gatuara me përbërësit që përdorte gjyshja e tij.

Top Channel