Serbi, 3 të arrestuar për trafikim. Kapen 77 emigrantë të fshehur

26/12/2016 00:00

Autoritetet serbe kanë arrestuar 3 persona, si të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore, pasi 77 emigrantë u gjetën të fshehur në disa automjete mallrash. Lajmi njoftohet nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë gjatë kësaj të hëne.

Serbia ka qenë një pikë kyçe, apo udhëkryq në fluksin e emigrantëve të vitit të kaluar, kur qindra e mijëra njerëz iu larguan luftrave dhe varfërisë në Lindjen e Mesme dhe Azi, të cilët udhëtuan përmes Ballkanit me synimin për të mbërritur në vendet e Bashkimit Europian.

Rrugëtimi përmes Ballkanit u kufizua në muajin mars të këtij viti, por prej atëherë, autoritetet serbe përllogarisin se rreth 110 mijë emigrantë të tjerë kanë kaluar përmes vendit, shumica e të cilëve e kalojnë kufirin e saj tashmë të mbyllur me Hungarinë në mënyrë të jashtëligjshme.

Të hënën, anëtarë të ushtrisë dhe një “task force” policore burgosën dy persona në qendër të Serbisë, në përpjekje për të trafikuar 36 emigrantë nga Afganistani dhe Mali në pjesën e pasme të një kamioni të madh, bëri të ditur ministria.

Në një rast tjetër, në po të njëjtin rajon, 41 emigrantë u gjetën të fshehur në një pjesën e ndarë të ngarkesës së një kamioni me targa gjermane, pasi shoferi serb i saj u ndalua për kontroll.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, rreth 7.000 emigrantë janë të bllokuar nëpër kampet e Serbisë, shumica e të cilëve paguajnë trafikantët për të mbërritur atje nga Turqia, përmes Maqedonisë apo Bullgarisë.

Që prej krijimit të saj në korrik, “task forca” që patrullon kufijtë e Serbisë me Maqedoninë dhe Bullgarinë, ka parandaluar rreth 18 mijë emigrantë të hyjnë në vend, si dhe ka arrestuar 114 trafikantë, sipas asaj që njofton ministria.

Top Channel