Barcelona, dyshime mbi të ardhmen e trajnerit Enrique

26/12/2016 00:00

Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique refuzoi të jepte siguri për të ardhmen e tij në pankinën “blaugrana” përtej sezonit aktual, duke shtuar spekulimet se për iberikun po shtohen mundësitë e largimit nga Katalunja.

Ish-mesfushori i kombëtares spanjolle, që drejton ekipin kampion të La Ligës, do të gjendet pa një kontratë në fundin e këtij sezoni dhe, sipas zërave brenda ekipit, negociatat për akordin e ri as që kanë filluar.

Luis Enrique drejtoi Barcelonën në fitoren e La Ligës dhe të Kupës së Mbretit në sezonin e fundit, ndërsa një vit më parë triumfoi në Champions League. 46-vjeçari tha se është i lumtur në “Camp Nou”, por do të konsiderojë shumë faktorë para se të përkushtohet në një marrëveshje të re.

“Nuk ka dyshime që jam aktualisht te skuadra më e mirë në botë, me lojtarët më të mirë në qarkullim, dhe me familjen time. Por, edhe pse kemi fituar trofe me Barcelonën, duhet ende të konsideroj disa gjëra për sezonet e ardhshme. Kjo më kushton shumë dhe është diçka negative aktualisht. Jam i vetëdijshëm se, ose do jem me Barcelonën, ose askund tjetër. Kam kohë të mjaftueshme dhe klubi më mbështet”, tha Luis Enrique.

Barcelona është në vendin e dytë në La Liga, 3 pikë më pak se Reali i Madridit që kryeson kampionatin.

Top Channel