Merkato po afron, ja “yjet” në fund kontrate

26/12/2016 00:00

Futbolli europian po përgatitet për një muaj të ndezur tratativash merkatoje që mund të sjellin lëvizje të bujshme.

Edhe pse operacionet më të kushtueshme zakonisht zhvillohen në fazën e verës, shumë yje të ekipeve të ndryshme janë në fundin e kontratave dhe mund të lëvizin me shifra qesharake krahasuar me nivelin që kanë, për të evituar largimin falas në qershor.

Juventusi ka nisur një valë tratativash rinovimi me shumë lojtarë të organikës, por nuk ka shenja në negociatat me Lishtajner. 32-vjeçari zviceran ka rimarrë vendin titullar pas dëmtimit të Dani Alveshit, por e ardhmja e tij është një rebus ndoshta më pak problematik se Patris Evra, me këtë të fundit në skandencë kontrate, por që me gjasë do t’i jepet sërish mundësia për firmë.

Ndërkohë, në Bundesligë emri më i fortë është Arjen Roben. Babai i mesfushorit holandez ka nisur prej javësh diskutimet me Bajernin, por oferta për një vit nuk e ngroh shumë tulipanin e kampionëve të Gjermanisë. Shumë klube janë gati ta mbulojnë me miliona Robenin, pasi një lojtar i tillë me parametër zero përfaqëson klas për formacionin.

Një tjetër futbollist cilësor në skandencë kontrate është dhe Aksel Vitsel. Lojtari belg që i është premtuar Juventusit rezervon të tjera tratativa pas kuintave. Njësoj është situata e veteranit Dario Srna, tashmë 34 vjeç dhe me vetëm 6 muaj të mbetur në kontratën me Shaktjorin. Asnjë nuk e ka kuptuar ndërkohë se ç’do të ndodhë me martesën mes Pepes dhe Realit të Madridit që ecën mirë prej vitit 2007. Mbrojtësi portugez pret sinjale nga drejtuesit “merengues”, por nëse kontrata nuk vjen, atëherë për luzitanin profilizohet një largim edhe në janar.

Top Channel