Filipine, tajfuni Nock-Ten i drejtohet kryeqytetit

26/12/2016 08:35

Tajfuni i fuqishëm Nock-Ten po godet ashpër Filipinet, ndërsa i drejtohet zonës tejet të populuar reth kryeqytetit Manila. Mbrojtja civile në vend është në gjendje alarmi të kuq, pasi pritet që stuhia të zbresë mbi kryeqytet të hënën vonë.

Metereologët thonë se fuqia e stuhisë është dobësuar që kur mbërriti në brigjet lindore të vendit të dielën, por ende ka erëra me shpejtësi 140km/h. Deri tani, stuhia i ka kushtuar jetën të paktën 3 njerëzve dhe ka shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

Autoritetet në Manila paralajmëruan popullsinë se stuhia, veç erërave të forta, do të sjellë edhe reshje të dendura e përmbytje. Zyrtarë të qeverisë thanë se janë marrë të gjitha masat për t’u përballur me furinë e natyrës, por tajfunet e shkuara kanë treguar se ato nuk kanë qenë asnjëherë në lartësinë e duhur. Mijëra njerëz kanë marrë urdhër që të braktisin shtëpitë e tyre dhe shumë janë strehuar në qendra emergjence. Por, autoritetet druhen se shumë filipinas mund të injorojnë urdhërin për evakuimin për të qëndruar në shtëpi me familjet për Krishtlindjet, dita më e madhe e festës në këtë vend kryesisht katolik.

Pritet që deri në 1 milion njerëz t’i drejtohen qendrave të emergjencës gjatë 24 orëve në vazhdim, ndërsa është e qartë se ato që ekzistojnë nuk mund të përballojnë as gjysmën e një shifre të tillë.

Top Channel