Zgjedhjet në Maqedoni, rivotimi në Tearcë nuk ndryshon rezultatin

25/12/2016 00:00

Është mbyllur procesi i rivotimi në Tearcë të Tetovës, pas vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni për përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qendër votimi.

Nga numërimi i votave, LSDM ka marrë 245 vota, ndërsa VMRO DPMNE 150 vota, rezultat ky që nuk ka ndihmuar dot partinë e Zoran Zaev, e cila duhet të kishte të paktën 304 vota më shumë, për të marrë një tjetër deputet.

Rezultati përfundimtar mbetet i njëjtë: VMRO 51 deputetë, LSDM 49 deputetë, BDI 10 deputetë, Besa 5 deputetë, Aleanca 3 deputetë, PDSH 2 deputetë. Tashmë pritet certifikimi i rezultatit nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe në d‎eri në datë 31 dhjetor pritet të thërritet Parlamenti.

Ndërkaq, burime të Top Channel të pranishme në takimin mes BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, të cilat së bashku kanë 13 deputetë, thanë se bisedimet mes tyre kane qenë të frytshme, por pa dhënë detaje të tjera lidhur koalicionin e mundshëm.‎

Nga ana tjetër, burime pranë LSDM shprehen për Top Channel se BDI dhe Aleanca për Shqiptarët më shumë mundësi do të bashkojnë votat me partinë e Zaev, duke formuar mazhorancën me 62 deputetë.

Të njëjtat burime shprehen se Lëvizja Besa është e vendosur të qëndrojë në opozitë, por do ka shprehur gatishmërinë për të votuar një qeveri të tillë, duke bashkuar dhe 5 votat e saj.

Pavarësisht të gjithë llogarive të bëra nga të gjitha partitë, priten orët në vijim për të mësuar zyrtarisht fatin e qeverisë së ardhshme të Maqedonisë dhe rreshtimit e forcave politike shqiptare.

Top Channel