Hasi, drejt kthimit në Belgjikë. Kandidat për trajner, në klubin ku ka qenë edhe futbollist

25/12/2016 00:00

Rikthimi i trajnerit shqiptar Besnik Hasi në një pankinë profesioniste, me të gjitha gjasat nuk do të vonojë shumë, me ish-futbollistin e kombëtares kuqezi që ndodhet pranë rikthimit në kampionatin belg.

Eksperienca e tij pozitive tek Anderlehti u pasua nga një aventurë zhgënjyese në Poloni, me Legian e Varshavës, ku Hasi u shkarkua për rezultate negative.

Por tani ai është gati të rikthehet në diskutim në kampionatin që e ka provuar më parë në fushë dhe në pankinë. Shkarkimi i trajnerit Peter Maes e ka bërë më të lehtë rrugën e gjakovarit në klubin ku ka luajtur më parë si futbollist, nga 1994 deri në 1997, dhe nga viti 1998 në 2000.

Presidenti i Racing Genk, Herbert Houben tha se, lojtarët nuk besonin më te trajneri, prandaj ai u largua, ndërsa aksioneri kryesor vlerësoi edhe eksperiencën e Hasit.

“Nuk është asnjëherë e lehtë të shkarkosh një trajner, aq më tepër në ditët e sotme. Dhe me një trajner si Maes, të cilin e njihja prej vitesh. Opsioni më i lehtë ishte të mos bënin asgjë, por tani duam trajnerin e ri brenda 5 janarit. Ka shumë kandidatë dhe në ditët që pasojnë do të vendosim. Besnik Hasi është dukshëm i kuotuar, ka një të kaluar këtu, ka eksperiencë dhe kualitet. Është e pashmangshme që të mos jetë në listë”, tha presidenti i skuadrës së Genk.

Top Channel