Klopp: Do luftojmë deri në fund për titull

25/12/2016 00:00

Jurgen Klopp nuk dorëzohet. Trajneri i Liverpool deklaroi se skuadra e tij do të luftojë për titull deri në fund dhe se kanë mundësi të mira për të rrëmbyer trofeun e Premier League.

Liverpool nuk ka fituar titull që nga sezoni 1989/90, por aktualisht janë të dytët në klasifikim me 6 pikë më pak se liderët e Chelsea. Klopp mendon se lojtarët e tij duket të përqendrohen në të tashmen dhe jo në 26 sezonet e kaluara.

“Ne nuk jemi 25 vitet e fundit. Ne jemi tani. Ne jemi ky brez. I duam shumë të gjithë ata që dhanë gjithçka për këtë skuadër, por nuk mund të bëjmë punën e tyre. Ne duhet të bëjmë tonën. Le ta provojmë. Jemi skuadër e mirë dhe e madhe. Po kalojmë në një moment të mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë. Po kalojmë në një të tashme të mirë dhe e ardhmja është e ndritur”, deklaroi Klopp për “Sky News”.

Gjermani thotë se nuk i pëlqejnë krahasimet që i bëjnë skuadrës së tij me ato të viteve të kaluara. “Kur ne humbim një ndeshje thonë ‘Ja, njëjtë si në sezonin 2004/05 ose diçka ngjashëm. Nuk jemi të njëjtë”, vijoi ai.

Në intervistën me Jamie Redknapp, Klop foli edhe për Chelsean e Antonio Contes dhe tha “blutë” janë skuadra më me fat në kampionat.

“Jam i sigurt që deri më tani Chelsea ka qenë skuadra më me fat sa i përket dëmtimeve. Ne humbëm Coutinho, Sturridge dhe Danny Ings. Nëse Hazard dhe Costa do të ishin të dëmtuar, a do të ishte Chelsea në këtë pozicion? Është një sezon i gjatë ata do të luajnë sërish ndaj nesh dhe ndaj të tjerëve”, tha gjermani.

Top Channel