Mbyllet hetimi për David Qosen: Nuk është i sëmurë mendor

25/12/2016 00:00

David Qosja do të gjykohet nga Krimet e Rënda për akuzën e  vrasjes në krye të detyrës të punonjësit të policisë, Ardian Kodra, vrasjes së mbetur në tentativë të dy efektivëve të tjerë si dhe armëmbajtje pa leje.

Në përfundim të hetimeve 3-mujore, prokuroria dorëzoi dosjen në gjykatë për 27-vjeçarin nga Torovica, duke argumentuar se David Qosja vuan nga çrregullime të personalitetit, por nuk është i sëmurë mendor. Pas largimit të familjes jashtë vendit, David Qosja jetonte vetëm prej dy vitesh, thotë prokurori.

Duke shpjeguar dinamikën e ngjarjes, prokuroria shton se policia kreu aksion në Torovicë për shkak të denoncimit të banorëve për të shtëna në ajër. Rezulton nga provat se mjeti blind ku ndodhej Ardian Kodra bashkë me 3 policë të tjerë u pozicionua përballë shtëpisë së David Qoses. Sapo zbriti nga automjeti, efektivi Ardian Kodra i thirri vrasësit në emër, por pas breshërisë së të shtënave nga kati i dytë i shtëpisë,  kolegët e tij panë se Ardiani ishte vrarë.

Prokuroria thotë se vrasësi qëlloi me armë pasi, siç ai ka rrëfyer pas krimit, nuk donte që policia t’i hynte në shtëpi.

Top Channel