Mesazhi i Lulzim Bashës nga Katedralja e Shën Gjergjit në Fier

25/12/2016 00:00

“Të gjithë besimtarëve të krishterë u uroj nga zemra: Gëzuar ditën e lindjes së Krishtit, lindjes së shpresës, besimit dhe shpëtimit”.

Ky ishte mesazhi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga Katedralja e Shën Gjergjit, në qytetin e Fierit.

“Këtu nga Katedralja e Shën Gjergjit në Fier, ku kam uruar Imzot Nikollën, Mitropolitin e ri të Fierit dhe të gjithë besimtarët e Fierit dhe besimtarët anembanë Shqipërisë, dua të përsëris urimin tim: Krishtlindje të gëzuara për të gjithë besimtarët e krishterë, për të gjithë shërbëtorët e Zotit në të gjitha kishat, katedralet, manastiret anembanë Shqipërisë, dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Paqja e Zotit qoftë mbi shqiptarët. Në veçanti kam një urim që kjo ditë të sjellë më shumë shpresë dhe besim tek një e nesërme më e mirë për të vobektët, për të pamundurit, për njerëzit në nevojë, për të sëmurët, për të moshuarit. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë. Gëzuar!”

Top Channel