Plagosi familjarët e ish-gruas, tenton vetëvrasjen 37-vjeçari

25/12/2016 13:20

Marjan Levanti, 37-vjeçari i cili plagosi tre familjarë të ish-bashkëshortes së tij mbrëmjen e së premtes, ka tentuar të vrasë veten në dhomat e paraburgimit.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 1:20 të ditës së sotme. Levanti u dërgua në spital për ndihmë mjekësore pas tentativës për të varur veten.

Marjan Levanti shkoi në banesën e ish-bashkëshortes dhe sulmoi me thikë familjarët e saj. Policia e kryeqytetit njoftoi se ai plagosi ish-vjehrrin, ish-vjehrrën dhe ish-kunatin.

Ngjarja ndodhi në një banesë në zonën e Unazës së Re. Tre familjarët e plagosur u dërguan menjëherë në spital ku edhe ju dha ndihma mjekësore pas plagëve të marra.

Rreth dy orë pas ngjarjes, policia bëri të mundur arrestimin e 37-vjeçarit Marjan Levanti.

Autori i kësaj ngjarje nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar për plagosje dhe ka vuajtur 2 vite burg.

Bashkëshortja i kishte kërkuar menjëherë divorcin vitin e shkuar sapo ai kishte dalë nga burgu. Gjykata ka dhënë vendimin disa muaj më parë, por ai nuk ka qenë dakord me ndarjen e pasurisë, gjë që ka sjellë edhe ngjarjen në familjen e ish-bashkëshortes së tij.

Top Channel