Mavraj kalon testet, te Hamburgu përpara festave

25/12/2016 00:00

Për të parë imazhet e Mërgim Mavrajt me skuadrën e re në futbollin gjerman do të duhet të priten ditët e para të janarit, kur hapet edhe zyrtarisht merkatoja e futbollit europian. Por, ndërkohë, gjiganti i mbrojtjes së kombëtares shqiptare ka kaluar me sukses testet mjekësore tek ekipi i Hamburgut, ngjyrat e të cilit do të mbrojë pas thuajse një jave.

Sipas medieve gjermane, Mërgim Mavraj do të prezantohet në qytetin verior para se t’i bashkohet skuadrës së re më 3 janar, pak para nisjes së fazës përgatitore të dimrit në Dubai. Drejtuesit e klubit kanë kërkuar me ngulm mbrojtësin e lindur në Hanau, për t’i dhënë mundësi trajnerit që ta integrojë lehtësisht në pjesën e dytë të sezonit.

Largimi i tij në janar vjen si surprizë për ekipin e Këlnit dhe për shumë lojtarë të skuadrës së “Nordrhein-Westfalen”.

“E mësuam transferimin atëherë kur e morën vesh të gjithë të tjerët. Mërgimi nuk ka folur shumë rreth kësaj gjëje me askënd. Mavraj ishte kthyer në një lojtar kyç në vitin e tij të tretë këtu. Ky vit ka qenë shumë i mirë për të”, deklaroi mbrojtësi Dominic Maroh.

Për shërbimet e Mavrajt, Hamburgu do të paguajë 1.8 milionë euro, ndërsa kontrata e mbrojtësit do të jetë deri në vitin 2019.

Top Channel