Trump vendos të mbyllë fondacionin, për të shmangur konfliktin e interesit

25/12/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump tha se do ta shpërbëjë fondacionin “Trump”, një institucion bamirës që mban emrin e tij, si pjesë e përpjekjeve për t’u larguar nga konflikti i interesit në javët para bërjes së betimit.

Në një komunikatë për shtyp, Trump tha se po e shpërbën fondacionin, që të shmangë edhe shenjën më të vogël të konfliktit të interesit me rolin e tij si president.

Më herët, Trump deklaroi se gjatë muajit të ardhshëm do të ndërmarrë disa hapa për t’u shkëputur nga bizneset e tij, për të shmangur konfliktet e interesit, megjithëse disa herë ka thënë se hapa të tillë janë të panevojshëm.

Vendimi i Trumpit sugjeron se presidenti i zgjedhur është i përgatitur të bëjë atë që duhet, për të mos pasur konflike interesi, megjithëse nuk ka ende detaje të qarta se çfarë do të bëjë përsa i takon perandorisë së tij të biznesit.

Mediet amerikane shkruajnë se, edhe shpërbërja e fondacionit nuk është aq e lehtë, pasi ky po hetohet nga autoritetet. Prokuroria e Nju Jorkut tha se po zhvillon hetime për fondacionin, të cilin dyshohet se Trump mund ta ketë përdorur për të zgjidhur çështje private ligjore dhe që në Nju Jork nuk ishte regjistruar.

Sipas prokurorisë, pa u mbyllur hetimet është e pamundur që fondacioni “Trump” të mbyllet ligjërisht.

Top Channel