Rrëzohet avioni rus me 92 persona në bord

25/12/2016 00:00

Një avion ushtarak rus me 92 persona në bord është rrëzuar në ujërat e Detit të Zi, sipas asaj që njofton Ministria ruse e Mbrojtjes. Avioni është zhdukur nga radarët vetëm dy minuta pasi ishte ngritur në fluturim nga resorti turistik i Sochit, në orën 3:25 të mëngjesit të së dielës. Pjesë të ndryshme të trupit të avionit janë gjetur në ujë, ndërkohë që vetëm një trup i pajetë është rikuperuar.

Ministria e Mbrojtjes tha se avioni “TU-154” ishte duke transportuar ushtarë, 64 anëtarë të ansamblit të famshëm muzikor të ushtrisë “Alexandrov”, si dhe 9 reporterë. Ai u ngrit në fluturim me destinacion bazën ushtarake Latakia në Siri. Avioni ishte nsiur nga Moska, por u desh të ndalonte për furnizim me karburant në Aeroportin “Adler” të Sochit.

Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se “fragmente të avionit Tu-154 janë gjetur rreth 1.5 km larg bregdetit të Sochit, në një thellësi prej 50-70 metra”. Deri më tani nuk është gjetur asnjë i mbijetuar, siç thonë ekipet e kërkim-shpëtimit dhe agjencia e lajmeve “Interfax”, e me gjasë vështirë se mund të gjendet ndonjë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov konfirmoi se “trupi i personit të vrarë si pasojë e përplasjes u gjet 6 km larg bregdetit të Sochit”. Ministria publikoi edhe një listë pasagjerësh, ku duket se në bord ishin edhe 64 persona nga Ansambli “Alexandrov”. Mes të tjerëve ishin edhe 9 gazetarë, 8 ushtarë, dy nëpunës civilë dhe një anëtar organizate joqeveritare, si dhe 8 pjesëtarë ekuipazhi.

Raportet e para nga zona e incidentit thonë se kushtet e motit kanë qenë shumë të mira, ndaj dhe hetimi që ka nisur për të zbuluar shkaqet e aksidentit pritet të përcaktojnë nëse ka pasur ndonjë shkelje të rregullave të sigurisë së transportit ajror, apo ndonjë gabim njerëzor.

Konashenkovtha se avioni po transportonte pasagjerët për një performancë enkas për Vitin e Ri në bazën ushtarake ruse në Siri. Ngjarja pritej të zhvillohej në bazën ajrore Hmeimim, pranë Latakias, nga ku Rusia ka ndërmarrë sulmet ajrore në mbështetje të qeverisë siriane, që lufton ndaj rebelëve kundër presidentit Bashar al-Assad.

Dikur “kali i punës” i Bashkimit Sovjetik, tashmë vetëm rreth 50 të tillë janë në shërbim. Një nga aksidentet më famëkeqe të “Tupolev 154” është ai i prillit 2010 në Smoleksn, ku mes 96 pasagjerëve që humbjën jetën ishte dhe presidenti polak, Lech Kaczynski.

Top Channel