Mesha e Krishtlindjes, imzot Frendo: Të lutemi për terroristët që shohin errësirë

24/12/2016 00:00

Krishti lindi në Tiranë! Besimtarët katolikë, të mbledhur në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, u lutën për më shumë paqe e mirësi në meshën tradicionale të Krishtlindes, që u kremtua nga Arkipeshkvi i Arkidioqezës Tiranë-Durrës, imzot Xhorxh Frendo.

Kjo është‎ mesha e parë, që imzot Frendo kremton për Krishtlindje, që pas marrjes së detyrës. Ai u lut për paqen, duke thënë se kurrë më parë njerëzimi nuk është ndierë kaq i pasigurtë sa sot, dhe kudo në botë.

“Të lutemi për këta njerëz që parapëlqejne të jetojnë në errësirë”, tha imzot Frendo duke iu referuar terroristëve.

Bashkë me urimin për të gjithë besimtarët, kjo dioqezë ka lajmëruar se nuk do të organizojë pritjen tradicionale me politikanë.

“Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe të atyre që janë në kufijtë e shoqërisë tonë. Është ky motivi, pse Arkidioqeza e Tiranë-Durrësit ka vendosur që, në Krishtlindjen e këtij viti, në vend të pritjes zyrtare për pushtetarët, politikanët, ambasadorët e të tjerë, të organizojë një drekë për të varfërit në ambientet e Arkipeshkëvisë Tiranë-Durrës”, thuhet në njoftimin e imzot Frendos.

Top Channel