Ditëlindje me babain

24/12/2016 00:00

Emigracioni është një fenomen i njohur në shoqërinë shqiptare. Në shumë familje pjesëtarët detyrohen të braktisin Atdheun dhe të kërkojnë mundësi punësimi në vende të huaja për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, edhe pse kjo nënkupton të qënurit larg familjes dhe fëmijëve.

Këtë situatë e ka kaluar edhe familja e Almës. Ajo është një vajzë 20-vjeçare, e cila ka lindur në qytetin e Mallakastrës. Ajo jeton bashkë me vëllain dhe me mamanë.

Që kur ka qenë ende foshnjë, Alma është rritur nga mamaja e saj sepse babai, duke qenë emigrant në Greqi mund të vinte në Shqipëri në raste shumë të rralla. Ai kishte emigruar që para se Alma të lindte sepse në Shqipëri mundësitë për të gjetur punë ishin shumë të vogla, prandaj duhej të kërkonte diku tjetër.

Mamaja e Almës duhej të kujdesej e vetme për vajzën e saj të vogël, ndërkohë që babai ishte larg duke punuar çdo ditë për t’u siguruar atyre një jetesë më të mirë. Pas një viti e gjysmë erdhi në jetë vëllai i saj i vogël. Tashmë, mamaja e Almës ishte gjithë kohës e zënë, ajo duhej të kujdesej për dy fëmijë të vegjël edhe për gjyshërit me të cilët jetonte.

Babai i saj vinte t’i vizitonte por nuk mund të qëndronte për shumë kohë. Ai nuk harronte asnjëherë të sillte dhurata për dy fëmijët e tij të vegjël, edhe pse ato nuk mbushnin zemrën e tyre dhe nuk mund të zëvendësonin mungesën e tij.

Babai përpiqej që të kalonte kohë me ta, por ishte e vështirë. Fëmijët ishin shumë të vegjël dhe nuk e mbanin mend, sapo ata fillonin të mësoheshin me idenë e të pasurit babain afër, atij i duhej të nisej përsëri në emigrim.

Alma u rrit duke parë mamanë e saj të luftonte çdo ditë për të ecur përpara e vetme, pa pasur bashkëshortin pranë, duke gjetur forcën që të kujdesej për familjen por edhe të punonte. Ajo u thotë gjithmonë fëmijëve të saj se nuk mjafton që të punojë vetëm babai i tyre, sepse tani që janë të rritur kanë nevojë për më shumë gjëra.

Duke u rritur, Alma ka festuar shumë ditëlindje pa babain, për të mos thënë të gjitha. Në çdo ditëlindje, ajo shpresonte që babai të vinte, por e vetmja gjë që merrte ishte një telefonatë urimi. Megjithatë, ajo e dinte që gjithçka ai e bënte për të dhe vëllain e saj.

Alma thotë se babai i mungon shumë, i mungojnë çdo ditë përqafimet e tij dhe trishtohet kur shikon mamanë e saj që vazhdon të gjejë forcën të ecë përpara e vetme.

Alma nuk i ka thënë asnjëherë babait se sa shumë e do, prandaj dhe kontaktoi stafin e emisionit “Dua të të bëj të lumtur”, sepse donte ta bënte këtë gjë para të gjithëve, t’i tregonte babait të saj se i është përjetë mirënjohëse për gjithçka që ai bën për të dhe vëllain dhe se për ta, ai është babai më i mirë në botë.

Dhe “Dua të të bëj të lumtur” i plotëson dëshirën Almës dhe e dërgon atë te babai në Greqi, ku më në fund festuan një ditëlindje së bashku, 20 vjetorin e Almës.

Top Channel