Bamirësi dhe urime, mesazhe në murin e Kryeministrisë

24/12/2016 00:00

Shqipëria uron Shqipëria dhuron, është nisma e përvitshme që projektohet në fasadën e godinës së Kryeministrisë për festat e fundvitit.

Nga mbrëmja e së shtunës e deri në datën 2 janar, do të projektohen në fasadën e Kryeministrisë të gjitha mesazhet e urimit, ndërsa të ardhurat, që do të mblidhen nga mesazhet, do të shkojnë për bamirësi.

Ndërsa edicionin special të komunikimit të përjavshëm në rrjete sociale, Kryeministri ia ka dedikuar urimit për Krishtlindje.

Përpara Kryeministrisë, edhe bashkia organizoi një koncert festiv me pjesëmarrjen e tenorëve Armando Kllogjeri, Kastriot Tusha, Marjana Leka etj. Koncertin e ka përshëndetur me urimin e tij edhe kryetari i bashksië Erion Veliaj.

“Doja së pari të uroja të gjithë ata besimtarë të krishterë. Gëzuar festën, paçi gjithmonë mbarësi, qoft një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët”, tha Veliaj.

Në natën e lindjes së Krishtit ka dhënë urimin e tij edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për lindjen e Krishtit. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen, uron kreu i opozitës shqiptare.

Top Channel