Zyrat e reja të FSHF, TCH siguron projektin final

24/12/2016 00:00

Në mbledhjen e fundit të vitit 2016-të që ka bërë Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar projektin përfundimtarë të godinës së selisë së re që kjo federatë pritet të fillojë të ndërtojë nga viti i ardhshëm.

Kompania arkitekturore anglo gjermane “Bolls, Willson”, e cila ka bërë edhe projektin e stadiumit “Loro Boriçi”, ka paraqitur projektin final për këtë godinë, e cila do të ndërtohet në kompleksin Dinamo ku sot ndodhen ish-zyrat e disa federatave apo hoteli i dikurshëm i këtij klubi.

Top Channel ka mundur të sigurojë pamjet e projektit teknik të paraqitur nga kompania pak ditë më parë. Ndërtesa e re sipas këtij projekti ka një sipërfaqe prej 3000 m dhe do të jetë 4 kate e lartë. Po sipas planit projektues ndërtesa do të përfshi gjithçka i duhet një federate moderne futbolli, ku veç zyrave, do të ketë në brendësinë e tij edhe muzeun e historisë së futbollit shqiptar.

Ndërkohë që nuk do të mungojnë sallat e konferencave që do të jenë për mbi 100 gazetarë, një sallë e cila do të përdoret gjithashtu për aktivitete të ndryshme. Në katin e katërt të kësaj godine, siç janë thuajse të gjitha ndërtesat bashkëkohore, gjenden ambiente të gjelbëruara me pemë, do të jetë pikërisht ky kat në të cilin ndodhen edhe zyrat e drejtuesve më të lartë të FSHF-së.

Top Channel