Çifti Obama, urimi i fundit nga Shtëpia e Bardhë

24/12/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama dhe Zonja e Parë, Michelle Obama, i uruan amerikanëve gëzuar Krishtlindjen, në të fundit fjalim të përvitshëm të tyre nga Shtëpia e Bardhë.

“Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve! Një nga gjërat më të bukura të sezonit të festave, është të kalojmë kohë me njerëzit e veçantë në jetën tonë. E për mua, kjo do të thotë të ndihmohem nga mikja ime më e mirë për fjalimin e përvitshëm të krishtlindjeve”, tha Obama me Zonjën e Parë në krah.

Të dy ata, u shprehën se ndjehen të nderuar që kishin qenë në shërbim të amerikanëve gjatë tetë viteve të fundit.

“Duke patur parasysh fjalimin tonë të parë të Krishtlindjeve, unë them se Barack ka nevojë për gjithë ndihmën e mundshme. T’i kalonim festat në Shtëpinë e Bardhë, gjatë këtyre tetë viteve të shkuara, ka qenë një privilegj i vërtetë. Ne kemi mirëpritur mbi gjysmë milioni të ftuar…shefat tanë të kuzhinës kanë pjekur mbi 200 mijë ëmbëlsira festash dhe Barack i ka argëtuar amerikanët me shumë shaka prej babai”, tha Michelle.

“Dhe dhurata më e madhe që unë dhe Michelle kemi marrë gjatë këtyre tetë viteve, ka qenë nderi që ju kemi shërbyer juve. Bashkë, ne luftuam për të kaluar recesionin më të rëndë në 80 vjet dhe për ta çuar papunësinë në nivelin më të ulët në nëntë vitet e fundit. Ne e bëmë Amerikën një vend më të respektuar në botë, morëm mantelin e lidershipit në luftën për të mbrojtur planetin që do tu lëmë fëmijëve tanë, e shumë e shumë të tjera. Vendi ynë është sot më i fortë dhe më i prospertë se kur ne erdhëm këtu. Unë shpresoj se ne do të vazhdojmë në rrugën e progresit edhe në vitet që do të vijnë”, tha Barack.

Presidenti dhe Zonja e Parë nuk harruan të falenderojnë trupat amerikane dhe familjet e tyre po ashtu. Ky ishte fjalimi i fundit i çiftit Obama para se presidenti i zgjedhur Donald Trump të ulet në detyrë në janar.

“Kështu, ndërsa ne presim Vitin e Ri, le të riangazhohemi për vlerat që ndajmë. Në emër të të gjithë Obamave, Michelle, Malia, Sasha, bo dhe trazovacit Sunny, gëzuar Krishtlindjet të gjithëve”, u shpreh Barack.

“Dhe ju urojmë, ju dhe familjeve tuaja, një vit të ri të gëzuar dhe të shëndetshëm…faleminderit dhe zoti ju bekoftë”, tha Michelle.

Top Channel