Pengmarrja e avionit, rrëmbyesit kërkuan të ulen në Romë

24/12/2016 00:00

Pas orëve të tmerrit në bordin e avionit të rrëmbyer libian, pasagjerët kanë zbritur në aeroportin ndërkombëtar “Mitiga” të Tripolit.

Njëri prej tyre i tha agjencisë së lajmeve se veprimi i dy pengmarrësve, të cilët ishin në sediljet ngjitur me të, ishte befasues.

“Në fillim çdo gjë dukej normal, pastaj papritur nisën të krijonin probleme. Thirrën stjuardesën dhe kërkuan të flisnin me kapitenin. Ajo refuzoi dhe i pyeti se çfarë kërkonin saktësisht. Përgjigja ishte se kishin kërkesa specifike, një ndër të cilat ishte devijimi i avionit në Romë, por më pas, e detyruan të ulej në Maltë”, shprehet pasagjeri.

Dy pengmarrësit kërcënuan të hidhnin në erë “Airbusin A320” me granata dore dhe e devijuan fluturimin me qëllimin të kërkonin azil në Europë. Përpos kësaj, ata pretendonin dhe krijimin e një partie të re politike në nder të ish-diktatorit Muammar Gaddafi.

Pas disa orë negociatash, kriza u mbyll paqësisht me lirimin e të 118 personave në bord dhe dorëzimin e rrëmbyesve. Avioni po fluturonte nga Sebha në jugperëndim të Libisë për në Tripoli, si pjesë e kompanisë shtetërore “Afriqiyah Airways”.
 

Top Channel