Nuk ka as slitë, as drerë dhe nuk ngjitet nga oxhaku, por ka një thes të mbushur me lodra dhe në qytet nuk gjen asnjë derë ku ai të mos ketë hyrë pa trokitur.

Dhimitraq Topuzi është Babagjyshi i Krishtlindjes në Elbasan, një profesion që e zbuloi rishtaz, por që mësoi ta dojë më shumë se edhe vetë fëmijët.

“Unë shkoja nëpër shkolla dhe vishesha si klloun, se klloun njihesh më përpara. Mirëpo mësuesit thoshin pse nuk vjen dhe babagjysh te ne, të kemi dhe si kloun dhe si babagjysh. Po mirë thashë, po vij dhe babagjysh. Unë me fëmijët jam marrë gjithë jetën dhe kam luajtur dhe në teatër të kukullave, pse të mos bëhem dhe unë një Babagjysh profesionist i qytetit”, rrëfen Topuzi.

Është personazhi më i dashur i festave. Si askush tjetër ai merr përqafime dhe buzëqeshje fëmijësh pafund. Dhimitri thotë se asgjë s’ka të krahasuar me lumturinë që të falin fëmijët e lumtur.

40 vite aktor teatri për Dhimitrin kanë shërbyer si eksperiencë shumë e mirë për të qenë një Babagjysh i besueshëm tashmë që legjendën pak kush e beson.

“Disa thonë nuk ka babagjysh të vërtetë, është i sajuar. Kështu që më ka dalë një problem, të maskohem e të vishem si babagjysh. Mirëpo njerëzit thonë babagyshi nuk është i vërtetë, ka vënë paruke, prapë kur vjen babagjyshi gëzojnë. Më kënaqin”, thotë ai.

Në shtëpinë e tij çdo gje flet për babagjyshë. Dhimitri është bërë një me rolin e tij. Ai mezi pret Krishtlindjet për të shpërndarë dhurata dhe për të marrë dashuri.

“Më përqafojnë njëherë, bëjmë dhe fotografi pastaj marrin dhuratat. Është një përballje shumë e këndshme, emocion të jashtëzakonshëm që të japin fëmijët. Ka dhe fëmijë që qajnë. Ata i dua më shumë”, thotë më tej Topuzi.

Por kush ka qenë dëshira më e cuditshme që ai ka dëgjuar nga një fëmijë?

“Një vajzë çuditërisht donte qen. U vura në siklet. Më mori një ditë e ëma, mora një kosh të madh me qenin që i thosha mos bëj ‘ham, ham’. Shkova në klasë dhe goca tha unë nuk i besoja deri tani babagjyshit, po tani që babagjyshi më solli qenin që doja unë e besoj plotësisht babagjyshin. Sot duhet të jetë në klasë të katërt e të pestë, më thotë babagjyshi. Unë jam babagjyshi i them. Jo më thotë, ai babagjyshi që më solli qenin në klasë është babagjyshi prej vërtetë”, tregon ai.

Edhe pse legjenda e Babagjyshit besohet gjithmonë e më pak, Dhimitri thote se ajo është një traditë e bukur që nuk duhet të zhduket. Madje ai propozon që çdo fundviti në qendër të qytetit të vendoset një kuti postare e drunjtë ku të mblidhen letrat e vogëlushëve.

Top Channel