Krimet që shkak kanë drejtësinë; vendimi që liroi të riun

24/12/2016 00:00

Personat më problematikë për policinë, që përfshihen në ngjarje të rënda kriminale si grabitjet me armë, vjedhjet apo raste të tjera, rezultojnë përsëritës dhe të proceduar penalisht më parë.

I tillë është edhe rasti i 20-vjeçarit Aldi Lleshaj, i cili grabiti një automjet tip “Porsche” dhe më pas plagosi efektivin e policisë Nikolin Gjergji, duke i rrezikuar seriozisht jetën.

Top-Chanel ka siguruar vendimin e Gjykatës së Kurbinit, e cila liroi të riun problematik ndonse kishte plagosur me mjete të forta një person dhe e kishte kanosur për jetën.

Në vendimin e datës 12 tetor të këtij viti, dhënë nga gjyqtari Aurel Arapi, grabitësit Lleshaj i është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje, ndonëse ndaj tij rëndonin 2 akuza.

Në fakt, gjyqtari në fjalë ka vepruar brenda kuadrit ligjor pasi masa e butë është kërkuar nga prokurori i çështjes, Bardhyl Shehu.

Për këtë, gjyqtari bazohet në Kodin e Procedurës Penale, ku specifikohet se: “Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigure më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori”.

Ndërkohë, i arrestuari Lleshaj, që mbeti i plagosur në këmbë gjatë operacionit të RENEA-s, pritet të lërë spitalin dhe do t’i nënshtrohet një ekspertize mbi gjendjen e tij mendore, pasi në momentin e arrestimit është shprehur se ishte “mbret dhe i pavdekshëm”.

Sipas statistikave të policisë, mbi 60% e kontigjentit të personave të përfshirë në grabitje me armë ose vjedhje janë përsëritës dhe indivitë që kanë dalë nga qelia duke mos vuajtur dënimin e merituar.

Top Channel