Qendër shëndetësore tek Unaza e Re, i shërben 25 mijë banorëve

24/12/2016 00:00

Qytetarët që jëtojnë në unazën e re, nga e shtuna do të kenë qendrën e tyre shëndetësore, pa qenë nevoja t’ju drejtohen atyre që ndodhen larg vendbanimit të tyre. Hapja e kësaj qendre të re Shëndetësore, të munguar në këtë zonë do ti shërbejë rreth 25 mijë banorëve.

“Ky është një territor i Tiranës i zhvilluar shumë 15 vitet e fundit dhe këtu janë 25-30 mijë banorë që jetojnë përditë këtu, dhe ndërkohë, duhet të vazhdonin ta merrnin kujdesin shëndetësor, o në “Kombinat”, o tek “21 Dhjetori” ose në “Laprakë”. Do të kemi këtu dhe një kabinet “Check-Up”-i, marrja e një recete me rimbursim, bërja e një injeksoni, të mund të bëhen në këtë Qendër Shëndetësore. Sigurisht, që ka dhe zona të tjera të Tiranës që duan të kenë prezencë më të afërt me kujdes shëndetësor, me qendra Shëndetësore, mjekë dhe infermierë, dhe në planin tonë, edhe vitin e ardhshëm, do të vazhdojmë të zgjerohemi”, tha ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë tha se ky investim vjen pas kërkesave insistuese nga banorët, por edhe nga ministri i Brendshëm, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit.

“Kjo Qendër Shëndetësore do i shërbejë më së miri, me të gjitha shërbimet të 25 mijë banorëve të këtij komuniteti! Vëmendja e qeverisë është e gjitha e fokusuar këtu, vëmendja e Bashkisë së Tiranës është patjetër e fokusuar këtu, dhe me buxhetin do bëjmë gjithçka është e mundur për të përmirësuar infrestrukturën rrugore, për të ndërtuar një shkollë të re dhe për të ndërtuar mjedise ku fëmijët e kësaj zone mund të luajnë të qetë”, tha ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Top Channel