Acari mbërthen SHBA, dëborë, shi dhe erë e fortë gjatë fundjavës

24/12/2016 00:00

Një sistem stuhish dimërore po lëviz në verilindje të paqësorit duke kërcënuar pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara me reshje të dendura bore, shira dhe erëra të forta përgjate fundjavës, çka pritet ta vështirësoje ndjeshëm lëvizjen për festa.

Në Appleton, Wisconsin, ku dëbora filloi që mbrëmjen e së premtes, avioni me të cilin udhëtonte ekipi i futbollit Minnesota Vikings rrëshqiti në pistë, por fatmirësisht, nga incidenti nuk pati të plagosur. Shira të rrëmbyer llogaritet të godasin pjesën dërrmuese të bregut perëndimor, përfshirë këtu Kaliforninë jugore ku reshjet dhe stuhitë parashikohet të pasohen në disa zona edhe nga përmbytje.

Sistemi do të lëvizë drejt lindjes duke gjunjëzuar ultësirat veriore pikerisht në ditën e Krishtlindjeve. Përkeqësimi i motit mund t`i prishë planet e udhëtimit miliona amerikanëve që lëzivin përgjatë sezonit festiv.

E ndërsa festat e fundvitit po shoqërohen në shumë pjesë të globit me një tjetër ulje të termometrit, Arktiku është nxehur keq. Në vigjiljen e Krishtlindjeve, temperaturat në polin e veriut mund të mbërrijnë në gati 20 grade celsius mbi normalen e tyre të kësaj periudhe të vitit. Shkencëtarët flasin për një valë rekord të nxehti në rajonin arktik, të lidhur sipas tyre drejtperdrejtë me ndryshimet klimaterike të ardhura si pasojë e aktivitetit të njeriut.

Ky front i ngrohtë pason një verë gjatë të cilës akulli në arktik mbërriti në nivelin e dytë më të ulët që prej fillimit të regjistrimeve satelitore. 
 

Top Channel