Allardyce rikthehet në stol, merr Crystal Palace

24/12/2016 00:00

Skandali që përfshiu trajnerin e kombëtares angleze Sam Allardyce dhe që solli shkarkimin e tij nga pankina e 3 luanëve ka kaluar në plan të dytë, me rikthimin e Big Sam në një post prestigjioz.

Tekniku kontrovers, që ra pre e një investigimi gazetarësh mbi manovrat dhe konsulencën ilegale për transferimet e futbollistëve, është konfirmuar si menaxheri i ri i Crystal Palace.

Sam Allardyce, që më parë ka drejtuar ekipe si Bolton Wanderers, Blackburn Rovers dhe West Ham, pason në pankinën e Palace trajnerin Alan Pardieu, që u shkarkua nga drejtuesit e klubit për rezultate të dobëta.

“Ne jemi shumë të lumtur që kemi arritur të firmosim kaq shpejt dhe me një trajner të kalibrit të tillë. Eksperienca e Sam Allardyce do të jetë shumë e vlefshme”, tha presidenti i Crystal Palace, Stiv Perish, mbi timonierin e ri të ekipit anglez.

Kështu, Allardyce rikthehet në futboll për herë të parë pasi humbi pozicionin më të rëndësishëm të karrierës, atë si trajner i Anglisë. Ai dha dorëheqjen pas videos ku shfaqej sesi këshillonte gazetarë të kamufluar si menaxherë, që të shmangnin rregullat e FIFA-s mbi transferimet.

Top Channel