Nis rikonstruksioni i rrugës së Zallit në Selitë, lidhet me Unazën e Madhe

24/12/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e rrugës së Zallit në Selitë, duke zgjidhur problemet disa vjeçare për 20 mijë banorët e zonës. Veç shtrimit në këtë rrugë do të ndërhyhet edhe për rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha dhe në sinjalistikë.

Kreu i bashkisë Erion Veliaj tha se investimi integron këtë pjesë informale të Tiranës me pjesën tjetër të qytetit përsa i përket infrastrukturës.
 
“Mund të ketë shumë stinë, stinë festash, stinë dimri, për Bashkinë e Tiranës ka vetëm një stinë, stina e punës. Megjithëse kemi hyrë në javën e fundit të vitit, në fakt po fillojmë një investim të ri, po fillojmë një punë të re në një zonë informale”, tha kryetari Veliaj.

Ai theksoi se ky investim do të bëje lidhjen e kësaj lagjeje me Unazën e Madhe, e cila gjithashtu do të përfundojë brenda verës së ardhshme.
 
“Ne shohim përpara duke bërë investim, i cili lidh autostradën e re të Kombinatit ushqimor me Farkën, me të gjithë lagjet e banuara. Pra, kemi filluar që tani të punojmë për degëzimet që në të njëjtën kohë kur hapet autostrada në verë, të jetë hapur edhe rruga që është by-pass-i dhe rrugët lidhëse nëpër lagje. Siç e keni vënë re këtu jemi duke lidhur disa projekte bashkë, nuk bën sens që të kemi disa ishuj të izoluar të urbanizimit, nëse nuk lidhen të gjitha lagjet me njëra tjetrën dhe kjo është pjesa e fundit e 4-5 blloqeve ku po investojmë për të sjellë një urbanizim total”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i ka bërë thirrje dhe banorëve që të jenë bashkëpunues me Bashkinë, në mënyrë që investimi që po bëhet të jetë brenda gjithë parametrave të kërkuara.

Top Channel