SHBA, FBI jep alarmin për sulme terroriste; frikë edhe në Australi

23/12/2016 00:00

FBI-ja ka dhënë alarmin për sulme të mundshme terroriste nga ana e Shtetit Islamik në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Byrosë Federale të Hetimit, sulmet kanë gjasa të ndodhin gjatë festave dhe në shënjestër të atentateve mund të jenë kishat dhe vendgrumbullimet e njerëzve.

Ndërkohë, frika ka shkuar deri në Australinë e largët, ku 7 persona janë arrestuar në Melbërn nën dyshimin se do të kryenin sulme terroriste gjatë Kirshtlindjes.

Sipas autoriteteve lokale, të arrestuarit po përgatisnin një “sulm të shumëfishtë” me armë dhe eksploziv, njësoj si ato të 13 nëntorit 2015 në Paris.

Në një konferencë për shtyp, kreu i policisë Graham Ashton ka saktësuar se të dyshuarit janë të gjithë 20-vjeçarë të lindur në Australi, përveç një egjiptiani.

“Ishte një kërcënim serioz dhe real. Nga të dhënat e shërbimeve të inteligjencës rezultonte se ata do ta kryenin sulmin me thika, armë zjarri dhe eksploziv”, ka thënë Ashton.

Top Channel