Lot adoleshentësh për trofeun e parë!

23/12/2016 00:00

Prej më shumë se një viti, Donnarumma është pjesë e ekipit të parë të Milanit dhe kjo falë përkushtimit dhe talentit të tij të jashtëzakonshëm, të cilin po e tregon në çdo takim me kuqezinjtë.

17-vjeçari, mbrëmjen e së premtes, siguroi edhe trofeun e parë me ngjyrat kuqezi, teksa Milani fitoi Superkupën e Italisë ndaj Juventusit, në ndeshjen e zhvilluar në Doha.

120 minutat e lojës u mbyllën në barazim 1-1 dhe një meritë të madhe te Milani që nuk pësuan golin e dytë e pati edhe 17-vjeçari, i cili neutralizoi disa tentativa të bardhezinjve, ku veçohet pritja e goditjes së Khedira-s, e cila më parë edhe ishte devijuar.

Megjithatë, meritat më të mëdha për Gigio-n shkojnë te 11-metërshat, ku arriti të ndalte goditjen e Dybala, e cila më pas rezultoi vendimtare dhe Milani siguroi Superkupën, një trofe që i mungonte prej disa vitesh Milanit.

Pas takimit, 17-vjeçari është shprehur i emocionuar duke thënë: Ende nuk mund ta besoj! Kemi luajtur si të barabartë. E kemi kërkuar fitoren, e dëshironim atë. Erdhi si rezultat i punës dhe përkushtimit tonë. Ja dedikojmë fitoren presidentit Berlusconi.

Por te Milani po rritet edhe një tjetër talent. Bëhet fjalë për Manuel Locatelli, 18 vjeçar, i cili së bashku me Donnarumma derdhën lotë gëzimi në fundin e takimit.

Ndoshta e kuptuan…e ardhmja i përket atyre te kuqezinjtë!

Top Channel