Assadi fitoi Aleppon, por ka ende sfida të pafundme përpara

23/12/2016 00:00

Qindra persona janë rikthyer në zonat lindore të Aleppos gjatë kësaj të premteje, për të kontrolluar shtëpitë e tyre pas largimit të rebelëve të fundit nga qyteti, duke kërkuar mes rrënojave për sendet e tyre personale, të tronditur pas 4 viteve luftimesh.

Duke sinjalizuar sfidat e shumta dhe të pashmangshme që shtrihen ende përballë presidentit Bashar al-Assad, rebelët e ndodhur në periferitë perëndimore të qytetit bombarduan një zonë të Aleppos, duke shkaktuar vdekjen e 3 civilëve, në ato që shihen si bombardimet e para që kur forcat qeveritare morën kontrollin e plotë të qytetit të dytë më të madh të Sirisë, një ditë më parë.

Dorëzimi i rebelëve në Aleppo i dha fund një kapitulli brutal në luftën civile afro 6-vjeçare të Sirisë, si dhe shënuan fitoren më të rëndësishme të Assadit që prej nisjes së trazirave kundër regjimit 40-vjeçar të familjes së tij, në vitin 2011. Por pjesë të mëdha të vendit të gjymtuar nga lufta mbeten ende jashtë kontrollit të tij, përfshi zonat rurale të provincës së Aleppos, në jug dhe perëndim të qytetit ku rebelët opozitarë operojnë ende.

Assad tha se, prioriteti më i rëndësishëm pas sigurimit të Aleppos do të jetë fortifikimi i fshatrave rreth tij, përpara se t’i drejtohen një tjetër bastioni rebelësh jashtë kontrollit të forcave të tij besnike, përfshi edhe provincën më të afërt të Idlibit, në perëndim të Aleppos, si dhe qytetin e Raqqasë të kontrolluar nga grupi i Shtetit Islamik në lindje të Sirisë.

Televizioni sirian njoftoi se raketat e së premtes që goditën rajonin jugperëndimor të Hamadaniyeh, u lëshuan nga kryengritësit e ndodhur në jugperëndim të Aleppos. Pamjet e “Associated Press” nga brendësia e Aleppos lindore të marrë nga ushtria pas largimit të rebelëve një ditë më parë, ofruan skena shkatërrimtare: ndërtesa të rrënuara njëra pas tjetrës, disa me dyer e dritare të shpartalluara, kate të shembura dhe shumë rrugë të tejmbushura nga rrënojat dhe nga automjete të djegura e të dala jashtë përdorimit. As edhe një ndërtesë e vetme nuk mund të konsiderohej si e paprekur.

Në rajonet Sukkari, Ansari dhe Amiriyeh, ekspertë të ushtrisë nisën çmontimin e eksplozivëve dhe objekteve të minuara të lëna pas nga rebelët, përpara se ata të largoheshin.

Qindra njerëz kaluan nga kryqëzimi Bustan al-Qasr, një rrugë që ndante lindjen e kontrolluar prej rebelëve nga rajoni al-Masharqa i kontrolluar prej forcave qeveritare, që ishte mbyllur prej vitesh, duke ndërprerë lidhjet mes dy anëve të qytetit të ndarë.

Ahmad Khayata ishte mes atyre që u rikthyen të shihnin se çfarë kishte mbetur nga shtëpia e tij në Sukkari, një prej zonave të fundit të evakuuara nga luftëtarët opozitarë të enjten. Atij iu tha nga ushtarët se duhej të priste derisa ata të çminonin zonën.

“U bënë 5 vite që kur jam larguar nga shtëpia ime dhe falë Zotit tashmë jam sërish këtu. Ushtarët na thanë se, ndoshta nga pasditja ose dita e nesërme do të mund të hynim në rrënojat e shtëpive tona”, tha ai.

Rimarrja e Aleppos pas një ofensive të rëndë dhe të gjatë sulmesh ajrore e lë Assadin në kontroll të thuajse pjesëve më të mëdha urbane, e me gjasë të gatshëm për të luajtur një rol në luftën e komunitetit ndërkombëtar kundër xhihadistëve që mbajnë të pushtuara pjesë të tjera të Sirisë. Ishte një goditje shkatërrimtare për opozitën, mbështetësi kryesor i së cilës, Turqia, po përfshihet në diskutimet me Moskën për të gjetur një zgjidhje përfundimtare të luftës 6-vjeçare në Siri.

Në Moskë, presidenti Vladimir Putin, një prej mbështetësve kryesorë të Assadit, tha se është tejet e domosdoshme që të arrihet një armëpushim në të gjithë territorin e Sirisë, që do të pasohet nga bisedimet për paqen. “Në fazën tjetër, një marrëveshje për armëpushimin në të gjithë territorin sirian duhet të arrihet dhe të nisin menjëherë pas tij bisedimet në praktikë për zgjidhjen politike”, tha Putin gjatë fjalimit të përvitshëm.

Ai tha se udhëheqësit e Turqisë dhe Iranit, që kanë ndihmuar në ndërmjetësimin e tërheqjes së rebelëve dhe civilëve të mbetur në Aleppo, kanë rënë dakord që bisedimet për paqe në Siri duhet të mbahen në kryeqytetin kazak, Astana. Sipas tij, edhe Assadi ka rënë dakord me këtë propozim.

Top Channel