Lëkundjet në Zharrëz, MEI ndalon operacionet e “Bankers”

23/12/2016 00:00

Ministria e Energjitikës dhe Industrisë ka deklaruar se do të marrë të gjitha masat për të zgjidhur shqetësimin e shprehur nga banorët e fshatit Zharrëz nga kërkimet për naftë të kompanisë “Bankers Petroleum”.

“Me përfaqësuesit e “Bankers Petroleum” është mbajtur një komunikim i vazhdueshëm për të diskutuar zgjidhjen e  problemeve të shfaqura në këtë zonë dhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme për ndalimin pa afat të operacioneve të injektimit të ujit me presion të lartë në këto puse nga ana e kompanisë”, thuhet në një komunikatë.

Sipas njoftimit, ministri Damian Gjiknuri ka urdhëruar ngritjen me urgjencë të një grupi pune për të analizuar situatën dhe për t’i dhënë zgjidhje problemit. Mësohet se grupi i posaçëm ka zhvilluar mbledhjen e parë ku ka shqyrtuar situatën dhe ka folur me përfaqësues të “Bankers”.

Në përfundim të takimit, ministri Gjiknuri i ka kërkuar kompanisë ndërprerjen urgjente të operacioneve të injektimit me presion të lartë të ujit teknologjik në puset e lokalizuara përreth fshatit Zharrëz, deri në një njoftim të dytë.

Top Channel